martedì 9 gennaio 2018

Një vizitë edhe në Valbonë, aty ku plazhi ndërthuret me bjeshkët

Në Shqipëri, turistët e huaj, përveç detit mund të vizitojnë dhe vende ku ndërthuret plazhi me bjeshkët. Një mundësi për pushime të tilla e ofron lumi i Valbonës me ujin e pastër mbi të cilin prehet mali i Jezercës, në rrethin e Tropojës. Janë të shumtë ata që e kanë zgjedhur si vend pushimi, por nuk mjafton vetëm bukuria natyrore.


 Sipas banorëve të zonës, pushteti lokal duhet të investojë më shumë në infrastrukturë. Uji i pastër i lumit Valbonë, ambienti i bukur natyror dhe qetësia e bëjnë këtë zonë mjaft tërheqëse për pushime. Pothuajse gjatë gjithë 51 km të lumit gjen pushues, të cilët jo vetëm freskohen në ujin e pastër, por gjuajnë edhe troftat e rralla të Valbonës.

Ky pushtim i brigjeve të lumit nga pushues të shumtë, i ka dhënë gjallëri zonës dhe nëse deri tani familjet kishin jetuar vetëm me blegtori, bujqësi apo me emigracion, tani është shtuar dhe një burim tjetër të ardhurash, turizmi. Lugina e Valbonës është një nga mrekullitë e papërsëritshme të natyrës alpine shqiptare.

 Lugina e Valbonës nis nga Qafa e Valbonës në perëndim dhe përfundon në luginën e Drinit në jugperëndim, shumë pranë digës së hidrocentralit të Fierzës. Gjatësia e saj nga Qafa e Valbonës deri në lumin Drin është 50.6 kilometra. Lugina e Valbonës është zona turistike më e vizituar në rrethin e Tropojës, madje nga më të vizituarat në Alpet shqiptare pas luginës së Thethit.


 Kjo zonë me bukuri të rralla është e preferuar jo vetëm nga turistët vendas por edhe nga turistët e huaj, të cilët parapëlqejnë të njihen edhe me zakonet apo traditat e fshatrave më veriore të vendit. Në Valbonë nuk ka hotel të mirëfilltë, por disa shtëpi-kulla karakteristike janë përshtatur sipas traditës në hotele për turistët.

40 Hanet, destinacioni i turistëve të natyrës dhe zonave rurale
Shqipëria ofron vende të mrekullueshme edhe për turistët e natyrës dhe të jetës rurale nëse ata do të zgjedhin të vizitojnë hanet dhe bujtinat shqiptare, të cilat mund të gjenden nga veriu në jug të vendit. Projekti ambicioz “40 Hanet”, i cili ka dy vjet që funksionon, ofron për turistët e huaj dhe vendas mundësitë për të njohur nga afër jo vetëm bregdetin shqiptar, por edhe traditat tona të hershme.

 Këto banesa mahnitëse dhe relaksuese rigjallërojnë turizmin në zonat rurale të vendit, duke përmirësuar ekonominë e banorëve të zonave të thella të vendit, të cilët tashmë kanë një alternativë më tepër, përveç emigracionit apo bujqësisë për të siguruar jetesën. Konkretisht, janë shtëpitë e fshatit me kushtet reale të banimit, sigurisht, të mobiluara e të akomoduara sipas traditave të zonave ku janë ngritur.


 Katër itineraret e këtij projekti përfshijnë në gjurmën e veta hanet, duke nisur nga Alpet e Shqipërisë, më pas bujtinat përgjatë rrugës së njohur si “Via Pubblica”, për të vazhduar me “Via Egnatia” dhe në fund itinerarin e Jugut. Ndërkohë që ekziston një mori kombinimesh dhe akomodimesh, të cilat i japin dorë të lirë turistit dhe agjencive turistike për të eksploruar itinerare të tilla.


  • Blogger Comments
  • Facebook Comments
Item Reviewed: Një vizitë edhe në Valbonë, aty ku plazhi ndërthuret me bjeshkët Rating: 5 Reviewed By: MEDIA CREATION