martedì 9 gennaio 2018

Thethi, madhështia e turizmit malor


Me pamjen përballë Alpeve shqiptare, 70 km nga qyteti i Shkodrës, i rrethuar nga një kurorë malesh, nga mali Radohimë, Shenik, Papluk, me lartësi mbi 2500 m, shtrihet lugina e lartë e Thethit, një nga zonat më të veçanta të këtyre Alpeve, 750 deri 950 m mbi nivelin e detit, me një sipërfaqe prej 2630 hektarësh. I mbrojtur nga muret e maleve madhështore, i shtruar me livadhe, pyjet e ahut e burime të ftohta uji, zona malore turistike e Thethit e shndërron Shqipërinë në një vend potencialisht të fuqishëm për turizmin malor në të gjitha stinët.

Madhështia e natyrës së paprekur që të ofron kjo zonë nis me praninë e pyjeve të dendura, ku përveç pemëve të larta mbizotëron dukshëm edhe bimësia e ulët me lule shumëngjyrëshe e të rralla në llojin e vet.

Një nga pikat piktoreske në këtë mrekulli natyrore është padyshim edhe vorri i Riecit, një pikë nga e cila vihesh përballë Okolit, Qafës së Pejës dhe ku majtas ngrihet madhështore kalaja natyrore dhe Shtegu i Dhenve.


Thethi rrethohet nga male të larta dhe qafa mahnitëse, duke filluar nga Qafa e Thanës, Shtegu i Dhenve, Radohima, Sheniku, Papluku, Maja e Alisë, Qafa e Pejës, Gropa e Bukur, Qafa e Jezercës, Maja e Zezë, Maja e Zorgjit, që fshehin në brendësinë e tyre ballafaqime të panumërta me alpinistë, spedologë, botanistë, gjeografë dhe shumë dashamirës të alpeve, te të cilët kjo zonë sigurisht lë mbresa të pakrahasueshme.


 Fshatrat e kësaj zone shtrihen në të dy anët e lumit nga Okoli deri në Grunas, ku spikasin shtëpitë karakteristike që të gërshetuara me sfondin alpin, të shfaqen si peizazhe të papërsëritshme dhe të papara ndonjëherë.

Pa asnjë dyshim, Thethi mund të quhet edhe një park zoologjik natyror. Quhet i tillë nga banorët dhe nga vizitorët, pasi ka një hapësirë të admirueshme, e cila i ofron kushte të mira jetese disa llojeve të ndryshme të kafshëve të egra.

Por përveç shumëllojshmërisë së kafshëve të egra, pylli i Thethit është mjaft i pasur edhe me shpendë të ndryshëm si shqiponja, skifteri, thëllëza, pëllumbi, e shumë shpendë të tjerë që folenizojnë atje.


Nuk duhen lënë pa u përmendur edhe pasuritë e lumit të Shalës, që buron në Okol dhe të lumit të Kapresë, që shquhen për peshkun karakteristik. Akomodimi dhe kuzhina, në këtë pikë gjendet në të gjitha format, që nga ushqimi natyral dhe i thjeshtë i shtëpisë, e deri tek pjatat më të sofistikuara të kuzhinave ndërkombëtare.


Shtëpitë e banorëve të veriut e sidomos të Alpeve, kanë hapur dyert për vizitorët e atjeshëm, duke mos e lënë aventurën vetëm në dorën e kampingjeve, ndërsa në zonat e tjera të Shqipërisë, mund të gjendet komoditeti i vërtetë nëpër fshatra turistikë, hotelet dhe komplekset e ndryshme, të cilët duke qenë në fazën fillestare të investimit, kanë vendosur të ofrojnë cilësinë më të lartë të shërbimit standard.



  • Blogger Comments
  • Facebook Comments
Item Reviewed: Thethi, madhështia e turizmit malor Rating: 5 Reviewed By: MEDIA CREATION