giovedì 28 dicembre 2017

Reagon Nexhmije Hoxha: Një mesazh për të gjithë ata që më “vdiqën”

Pak ditë më parë në media qarkulloi lajmi i vdekjes së gruas së ish- diktatorit, Enver Hoxha, Nexhmije Hoxha. Edhe pse bëri “xhiron” e mediave ky lajm rezultoi i pavërtetë.
Me anë të një letre urimi për gazetën “Dita”, Nexhmija tregon me detaje si e mori vesh lajmin, ndërsa nuk nguron ta cilësojë si keqdashje dhe ligësi, përhapjen e lajmit për të.
“U zbavita. Ju e kishit shkruar shumë mirë në gazetë përgënjeshtrimin. E përgënjeshtruan publikisht edhe Pranvera dhe Teuta. Unë u zbavita dhe kemi qeshur me atë marrëzi. Isha shtrirë dhe po pushoja si çdo ditë, kur më vjen Pranvera dhe më zgjon: “Po ngjallu, më tha, se të kanë vdekur para kohe…” Nuk e morëm vesh se kush e fabrikoi atë lajm, por pak rëndësi ka kjo, pasi janë ata që na sulmojnë prej më shumë se njëzet vjetësh… Por mendoj se në përhapjen e atij lajmi kanë përgjegjësi edhe gazetarët, ata që e shpërndanë nëpër portale, pa e verifikuar. Ku është profesionalizmi dhe etika profesionale në këtë rast?”- thote ajo.
Letra
Urime për Vitin e Ri 2018
Të dashur shokë e shoqe veteranë, miq e dashamirës shqiptarë, brenda e jashtë Shqipërisë, ju uroj me gjithë zemër: Gëzuar Vitin e Ri 2018!
Qoftë një vit i mbarë për të gjithë ju, familjet e fëmijët tuaj.
Qoftë një vit më i mirë për Shqipërinë tonë, më i qetë, pa konflikte, më i sigurtë për qytetarët në atdheun e tyre, për të rinjtë e të rejat e të ardhmen e jetës së tyre.
Dëshira dhe urimi i të gjithë neve, shqiptarëve, është që Kombi Shqiptar, me historinë dhe kulturën e tij mijëra vjeçare, në kontinentin e Europës të fitojë dinjitetin e dikurshëm, të kohës së luftrave të vjetra, të 5-6 shekujve më parë të Skënderbeut dhe ato të mëvonshme, të Rilindësve tanë e deri në luftën e fundit Nacional-çlirimtare të partizanëve e patriotëve për Lirinë, Pavarësinë e Unitetin Kombëtar të shqiptarëve.
Në saje të këtyre luftërave, “me pushkë e penë”, me trimërinë e mençurinë e bijve të shquar të Kombit tonë, si edhe të gjuhës së përbashkët shqipe, që ruajtën e bashkuan shqiptarët gjatë shekujve, në hapësirën e tyre Iliro-Arbërore, bënë që Kombi ynë i vogël të mos shuhet, të mbetet i gjallë, në këmbë e vital.
I tillë do të mbetet edhe në të ardhmen.
Nexhmije Hoxha

  • Blogger Comments
  • Facebook Comments
Item Reviewed: Reagon Nexhmije Hoxha: Një mesazh për të gjithë ata që më “vdiqën” Rating: 5 Reviewed By: MEDIA CREATION