venerdì 22 dicembre 2017

Dokumentet e CIA, veriu ishte qendra e spiunazhit shqiptar dhe jugosllav, Tito armatosi banorët për të luftuar Enver Hoxhën

Tropoja ishte qendër e spiunazhit gjatë regjimit komunist. Në një dokument të deklasifikuar nga CIA, theksohet se gjatë viteve 1950 aty operonin kryesisht agjentë të Sigurimit të Shtetit dhe agjentë jugosllavë. Ndër të tjera tregohet se si në Tropoja dhe në zonat malore të veriut kishte disa grupe shqiptarësh që ishin kundër regjimit dhe ata kishin kontakte me CIA. Por aty tregohet se si shumë prej tyre donin që të arratiseshin sepse dimri në veri ishte i papërballueshëm. Nga ana tjetër tregohet se si regjimi i Titos armatoste shumë shqiptarë të veriut me shpresën se do të ngriheshin kundër regjimit të Enver Hoxhës. Në një dokument tjetër jepen të dhëna për dy operacione të cila në Shqipëri.
21 gusht 1950
Memorandum për asistent-drejtorin e koordinimit të politikave
Situata e rezistencës në Shqipëri
Nga një prej misioneve tona në Shqipëri, i cili është në kontakt të afërt me lëvizjen e rezistencës, kemi marrë informacionin e shtjelluar në paragrafët e mëposhtëm. Sipas misionit tonë, shumë anëtarë të rezistencës shqiptare besojnë se nuk mund të durojnë më vuajtjet që po heqin dhe kanë vendosur të arratisen drejt Jugosllavisë në mundësinë më të parë. Ata do të preferonin të shkonin në Greqi, po të mos ishte për distancën e largët prej veriut të Shqipërisë deri në kufirin grek. Me gjithë përpjekjet e bëra për t’i bindur që të qëndrojnë në Shqipëri, ata duket qartë se nuk mund të qëndrojnë një tjetër dimër në male, pasi jeta është aq e vështirë sa po i çon drejt çmendisë.
Tropoja, qendër e spiunazhit
Lideri i këtij misioni ka kërkuar të dijë nëse aktivistët politikë jugosllavë në Shqipëri (të raportuar më parë te ju) njihen prej nesh dhe nëse ata përfaqësojnë përpjekjen e Aleatëve. Ata pyetën gjithashtu nëse aktivistët anti-komunistë nga Shqipëria do të priteshin mirë në Jugosllavi. Në lidhje me mbështetjen jugosllave ndaj aleatëve, u pyet se cila ishte politika e Jugosllavisë në lidhje me Korenë. Mesazhi i mësipërm na informon se Tropoja është qendra e spiunazhit shqiptar dhe jugosllav, me agjentë jugosllavë dhe shqiptarë duke kaluar vazhdimisht kufirin. Agjentët jugosllavë përshkruhen se të gjithë kanë qenë më parë anëtarë të grupeve shqiptare të rezistencës. Më 10 gusht 1950 misioni ynë në vend dërgon një kontakt për të hetuar mbi ftesën për të takuar një person të paidentifikuar që dëshironte të furnizonte me armë dhe municione jugosllave misionin.
Lëvizjet e jugosllavëve
Mes popullsive të Shqipërisë së Veriut ka një bindje të madhe se jugosllavët po planifikojnë një lëvizje të armatosur në Shqipëri, me qëllim ngritjen e moralit të grupeve malore të rezistencës. Disa sasi armësh raportohet të jenë shpërndarë çdo ditë nga jugosllavët, të cilat janë pranuar edhe nga shqiptarët nacionalistë, të cilëve u janë afruar edhe para, por kanë refuzuar duke pritur aprovimin nga misioni ynë. Lideri i misionit trembet se një bujari e tillë nga ana e jugosllavëve do të ketë efektin e fitimit të simpatisë së shumë personave që kanë vuajtur shumë duke punuar për ne. Në konkluzion, lideri i misionit tha se puna e tij bindëse nuk do të ishte e mjaftueshme, prandaj kishte nevojë për instruksione urgjente për mënyrën e veprimit që duhet të ndiqte.
Kriptonimi i projektit OBOPUS
Objektivi: projekti OBLIVIOUS ka si qëllim ruajtjen e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë si një mjet i deklaruar për aktivitetet ushtarake dhe propagandistike të CIA kundër regjimit në Shqipëri.
Origjina: Linjat kryesore të projektit BGFIEND i aprovuar në 22 qershor 1949 nga ADPC. Plani territorial për Shqipërinë. Plani i përket operacioneve të luftës politike dhe vjen nga selia kryesore e CIA.
Situata
Që prej vitit 1048 kur regjimi i Titos u prish me Bashkimin Sovjetik, Shqipëria është izoluar nga kontakti tokësor me vendet satelite sovjetike. Kjo, përveç terrenit të ashpër të vetë vendit dhe traditave të vjetra klandestine të shqiptarëve, veçanërisht në zonat tribale të veriut, duken se e bëjnë Shqipërinë një objektiv premtues për operacione klandestine me objektiv përmbysjen e regjimit aktual komunist. Prezenca e një numri t madh refugjatësh shqiptarë në Evropë, sugjeron zhvillimin e një qendre politike jashtë Shqipërisë, të përbërë nga përfaqësues të elementëve anti-totalitarë dhe miqësorë ndaj politikave të SHBA për Ballkanin, që mund të shërbejnë si një pikënisje për elementët anti-komunistë brenda Shqipërisë. shërbimet e inteligjencës amerikane dhe britanike në verën e vitit 1949 ishin përgjegjës për formimin e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë (NCFA), që është një qendër politike e përfaqësuesve të refugjatëve demokratikë shqiptarë, dhe që mund të shërbejë si një mbulim për operacionet e fshehta në Shqipëri. Dhe prej atëherë operacionet e degëve politike dhe ushtarake janë kryer në emrin e NCFA.
Propozimi
NCFA është një grupim përfaqësues i refugjatëve shqiptarë që vepron si pikë fokusimi për ata që janë të interesuar përfundimisht për çlirimin e Shqipërisë. Grupimi vepron si një mbulim zyrtar për aktivitetet jozyrtare të CIA dhe shërben si një vegël për denoncimin publik të çështjes së shqiptarëve të robëruar në Shqipëri. Ai kontrollohet nga CIA dhe shërbimet britanike të MI6. Krerëve të NCFA u është bërë e qartë se në asnjë rast nuk konsiderohen si “Qeveria në ekzil” e Shqipërisë.
Detyra dhe propozime
Botimi i gazetës Shqipëria në gjuhën shqipe, dhe përdorimi i përmbajtjes së saj kryesore për broshurat e propagandës së lëshuar nga ajri në Shqipëri. Botimi në kohën e duhur të njoftimeve periodike mbi Shqipërinë, i publikuar në anglisht, frëngjisht e itlalisht, i shpërndarë në agjencitë kryesore të shtypit perëndimor. (Përgatitja e përmbajtjes së botimit Shqipëria është kryer sipas projektit OBTUSE, i ci li mbështetet dhe asistohet nga OBLIVIOUS) Përgatitja e teksteve të broshurave të propagandës dhe shkrimet e transmetimeve klandestine në radio. Operacioni i “letrave helmuese” me postë, kundër liderëve të lartë të regjimit komunist në Shqipëri.
Monitorimi i Radio Tiranës, monitorim i shtypit botëror për lajme mbi Shqipërinë, që mund të përdoren në programin tonë të propagandës. Lidhjet me grupet e emigrantëve, veçanërisht me ato që bëjnë pjesë në Komitetin Kombëtar të Shqipërisë së Lirë.
Personeli
Një oficer i selisë kryesore do të mbajë lidhje me selinë kryesore të NCFA në Nju Jork.
Të gjitha lidhjet e tjera të mbahen nga grupi i Shqipërisë së CIA, përveç kontakteve me agjentin e publikimit të Shqipëria në Romë, i cili do të lidhet me një oficer të SE.
Grupet dhe liderët vendas
NCFA është i përbërë nga përfaqësues të grupeve kryesore politike të Shqipërisë si dhe nga të pavarur. Komiteti ekzekutiv i saj përbëhet nga liderë të të gjitha grupeve, pas riorganizimit të tij në dhjetor 1953 ku u përfshinë dhe elementë që më parë nuk përfaqësoheshin.
Grupet e shënjestruar
Grupi i shënjestruar është populli shqiptar, në sensin që të gjithë përpjekjet e NCFa kanë si qëllim krijimin e një atmosfere rezistence kundër regjimit dhe përfundimisht çlirimin e popullit prej tij. Qeveria komuniste e Shqipërisë të bëhet objektiv i talljeve dhe i tentativave për dezertim.
Kohëzgjatja
Projekti OBLIVIOUS do të ketë kohëzgjatje të pacaktuar, dhe përfundimi i tij do të varet nga suksesi në objektivat e tij të përmbysjes së regjimit komunist në Shqipëri apo të vendosjes së një regjimi tjetër, miqësor ndaj Perëndimit.
Siguria
NCFA do të jetë organizata zyrtare që do të përdoret si mbulim për operacionet klandestine të kryera në emër të saj. Dijenia për aktivitetet: Anëtarët e NCFA janë të vetëdijshëm për mbështetjen zyrtare dhe interesin e SHBA. Dega britanike e shërbimeve është përfshirë gjithashtu në krijimin dhe funksionimin e komitetit, ndërsa qeveria greke është në dijeni të operacioneve të kryera nga Greqia kundër regjimit në Shqipëri, në emër të NCFA
Siguria e operacioneve: Oficerë të rëndësishëm amerikanë që punojnë me shqiptarët përdorin pseudonime. Megjithëse Italia është vënë në dijeni nga Departamenti i Shtetit se SHBA mbështet qëllimet e NCFA, nuk është informuar tërësisht për mbështetjen dhe ndihmën tonë financiare. Gazeta dhe buletinet e lajmeve publikohen haptazi nga NCFA, kurse materialet për lëshime nga ajri në Shqipëri shtypen në Frankfurt në vende të sigurta. Aktivitetet klandestine të kryera në emër të NCFA nga Greqia, bëhen me dijeninë e palës greke dhe asistencën e tyre. Shqetësimi parësor i sigurisë është që mbështetja e qeverisë amerikane për NCFA të mos bëhet objekt i provuar me dokumente përpara enteve të rëndësishme si OKB apo organizata të tjera ndërkombëtare dhe artikujsh turpërues në gazeta e media. Metodat aktuale të fragmentimit të operacioneve besohet të reduktojnë rrezikun e këtij skenari në minimum.
Risqet
Ekspozimi ndaj OKB apo grupeve të tjera ndërkombëtare i mbështetjes për NCFA nga agjenci shtetërore amerikane do të turpëronte qeverinë amerikane. Por për operacionet është ruajtur masa e distancimit dhe mospranimit të përgjegjësisë.
Personali ne dispozicion
Mbyllja e projektit do të sillte një problem për angazhimin e personelit të NCFA dhe tentativa të rivendosjes së tyre duhet të kryhen. Plani i katastrofës: Personeli i rëndësishëm i NCFA përfshihet në planet e katastrofës/evakuimit drejt Italisë apo vendeve të tjera në Mesdhe, por jo drejt Shteteve të Bashkuara.
Koordinimi
Projekti OBLIVIOUS përfshihet në programin për vendin e Shqipërisë dhe lidhet drejtpërdrejt me projekte të tjera kundër Shqipërisë. OBLIVIOUS është pjesë integrale e programit për vendin e Shqipërisë. Zyrtarët... mbahen të informuar për aktivitetet e NCFA dhe japin udhëzimet e tyre.
Drejtimet politike të programit jepen nga Departamenti i Shtetit. Propaganda e programit aprovohet në mënyrë të përbashkët nga përfaqësuesit amerikanë dhe britanikë. Ministria e jashtme britanike konsultohet për politikat me Departamentin e Shtetit.
Korrik 1953
Lufta psikologjike
Rinisja e lëshimit të artikujve ushqimorë në vendet satelite për qëllime propaganda
Pas ndërprerjes së lëshimit të sendeve ushqimore për arsye të propagandës anti-amerikane për luftë bakterilogjike, lëshimet e reja janë pritur me sukses nga popullata dhe efekti i fushatës komuniste ka qenë i vogël. Lëshimet e reja janë shoqëruar me mesazhin e ofertës së Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë (NCFA) për liderin komunist Enver Hoxha, ku ofrohet ndihmë humanitare për popullin në një kohë vështirësish të mëdha, e cila u refuzua. Aktualisht kemi rezerva të bollshme artikujsh për lëshime si dhe një numër të madh parashutash jo të kushtueshme për operacionet. Eksperienca jonë tregon se lëshimet ushqimore bëhen relativisht me lehtësi, teksa fushata armike e luftës bakteriologjike e vitit të kaluar e ka humbur efektin. Sido që të jetë duhet bërë kujdes që lëshimet të mos përfundojnë në duar të komunistëve.
Memorandumi tregon se britanikët, me të cilët ne koordinojmë shumë operacione, kanë një numër t madh artikujsh në ambalazh plastik, që duhet të hidheshin që prej fillimit të vitit 1953 për llogari të NCFA. Megjithëse britanikët besojnë në efektin psikologjik të lëshimit të sendeve ushqimore, ata iu bindën ndalimin të veprimin nga CIA, teksa rregullisht janë interesuar për rinisjen e tyre. Sipas situatës në shumicën e vendeve satelite sovjetike, besohet se është momenti i përshtatshëm rinisjen e lëshimeve të propagandës, kryesisht me sende ushqimore dhe disa sende përdorimi shtëpiak, të cilat plotësojnë fushatën e fundit të suksesshme të broshurave anti-komuniste në tre vende t Ballkanit, Shqipëri, Bullgari e Rumani. Prandaj i rekomandohet degës të hiqen ndalesat e lëshimeve të propagandës që ne dhe britanikët të vazhdojmë menjëherë me këtë mjet të testuar dhe mjaft efektiv.

  • Blogger Comments
  • Facebook Comments
Item Reviewed: Dokumentet e CIA, veriu ishte qendra e spiunazhit shqiptar dhe jugosllav, Tito armatosi banorët për të luftuar Enver Hoxhën Rating: 5 Reviewed By: MEDIA CREATION