venerdì 22 dicembre 2017

Caponata, pjata tipike e kuzhinës siçiliane

Caponata është një pjatë tipike e kuzhinës siciliane. Ky është një variant, sepse ekzistojnë 37 receta vetëm në ishullin e Sicilisë. Është gatim veror, sepse edhe përbërësit janë të kësaj stine.


Përbërësit për 4 persona:
3 domate të mëdha e të pjekura ose domate qershiza • ½ spec i kuq • ½ spec i verdhë • ½ spec jeshil • 1 degë selinoje • 1 patëllxhan mesatar • 1 qepë • 60g ullinj të zinj • 20g rrush të thatë • 20g fara pishe • 20g kaperi të kripur • 80ml uthull e bardhë • vaj ulliri • 1 lugë sheqer • kripë • vaj për të skuqur


Përgatitja:
Domateve u heqim lëkurën dhe i presim në kubikë bashkë me specat, selinonë dhe patëllxhanin. Kubikët e patëllxhanit i spërkasim me kripë dhe i vëmë mbi një kullesë për një orë që të humbasin hidhësinë. Pastaj i shpëlajmë dhe i thajmë me letër kuzhine (kjo pjesë mund të anashkalohet nëse nuk mjafton koha). Rrushin e thatë e vëmë në një tas me ujë të vakët që të hidratohet. Në një tigan me shumë vaj skuqim kubikët e patëllxhanëve, i vendosim në një pjatë me letër kuzhine për t’u hequr vajin e tepërt. Në një tigan tjetër të madh skuqim disa minuta qepën e prerë në rrathë me pak vaj ulliri, shtojmë specat, farat e pishës, selinonë dhe i skuqim të gjitha për dy-tre minuta. Shtojmë kubikët e domateve, ullinjtë, rrushin e thatë të shtrydhur mirë dhe kaperit të shpëlarë me ujë. I ziejmë për 15 minuta dhe pasi të shtojmë patëllxhanët, i lëmë edhe pesë minuta në zjarr. Hedhim uthullën, sheqerin dhe i lëmë në zjarr 5-6 minuta të tjera. I rregullojmë për kripë. E lëmë në frigorifer për të paktën një orë, që aromat të përzihen me njëra-tjetrën. E shërbejmë të vakët ose në temperaturë ambienti. Nëse konsumohet të nesërmen, ka shije më të mirë. Ju befte mire!
  • Blogger Comments
  • Facebook Comments
Item Reviewed: Caponata, pjata tipike e kuzhinës siçiliane Rating: 5 Reviewed By: MEDIA CREATION