sabato 23 dicembre 2017

Zidane e Valverde motivojnë ndjekësit: Kjo është kryendeshja e sezonit

El Clasico do të zbresë sot në fushë, ku do të përballen dy ekipet më të mira jo vetëm të Spanjës por ndër më të mirat e botës. El Clasico e këtij viti është e veçantë për disa arsye, por së pari për emrat e mëdhenj të futbollit që kanë Reali e Barcelona në gjirin e tyre. Në prag të supersfidës që e sheh skuadrën e Zidane plot 11 pikë më pak se sa katalanasit trajneri francez shprehet optimist duke deklaruar se ndjesitë janë pozitive dhe se klubi mbretëror është i përgatitur për të zhvilluar një ndeshje ku do të japë maksimumin.
“Do të zhvillojmë një ndeshje të madhe e duke lënë mënjanë çdo gjë tjetër që na prek direkt unë jam i interesuar që në këtë derbi spanjoll të shoh një unitet absolut të skuadrës. Duhet ta shohim këtë ndeshje jo vetëm në perspektivën e pikëve dhe kampionatit por në interes më madhor, atë që do të bëjmë ne në ato 90 minuta si ekip”. 45-vjeçari nga Marseja është i vetëdijshëm se kjo është sfida më e vështirë e sezonit, rezultati i të cilës do të ketë ndikim direkt edhe në mbarëvajtjen e sezonit. \
Gjithsesi, ai shprehet se skuadra e tij luan pikërisht për të tilla ndeshje të vështira, ku ata do të mundohen të shfaqin gjithë madhështinë e tyre. “Si gjithmonë e parashikoj një ndeshje shumë të vështirë, si gjithnjë në fakt edhe ky rast nuk bën përjashtim pasi “El Clasico” është ndërtuar e tillë, për të qenë njëherazi ndeshja më e bukur dhe më e vështirë e La Ligas.
E dimë rëndësinë e atyre tre pikëve që janë në lojë por duhet thënë se i gjithë objektivi ynë është që pikësëpari të shfaqim një unitet absolut e sigurisht të kërkojmë edhe fitoren”, tha ai. Zinedine Zidane deklaron gjithashtu se ka besimin absolut tek organika e tij dhe se do të luftojnë deri në vërshëllimën e fundit të këtij takimi për të marrë më të mirën e tij e mbi të gjitha për të shkurtuar diferencën ndaj katalanasve. “Nuk jemi në ankth për këtë sfidë, do të luajmë përballë rivalëve tonë më të fortë dhe do të bëjmë atë që dimë më mirë, të luajmë futboll të bukur dhe emocionues”, shtoi Zidane.
Nga ana tjetër, edhe trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, ka kujtuar se është një ndeshje e madhe për emrat e mëdhenj, duke qenë i bindur se një fitore e skuadrës së tij është vendimtare për fatet e titullit. Por, ndryshe nga Zidane, Valverde ka avantazhin e pozicionit aktual. “Kjo është ndeshje me shumë emocion por në fund të fundit sezoni është i gjatë. Një skuadër mund të kalojë nëpër faza të ndryshme përgjatë tij si kriza, ecuria e mirë, rikthimi tek vështirësitë dhe në fund edhe suksesin. Edhe ne kaluam një moment jo të mirë, të cilin ekipi e la pas, gjithsesi ky është një moment delikat pasi kjo nuk është një ndeshje si gjithë të tjerat. Do të mundohemi të shfrytëzojmë momentin e mirë që po kalojmë duke bërë një ndeshje të mirë e duke kërkuar fitoren, edhe pse jemi të vetëdijshëm për vështirësitë, pasi Reali është Reali dhe për më tepër luan në shtëpi”, u shpreh Velverde./Adriatik Balla

  • Blogger Comments
  • Facebook Comments
Item Reviewed: Zidane e Valverde motivojnë ndjekësit: Kjo është kryendeshja e sezonit Rating: 5 Reviewed By: MEDIA CREATION