martedì 26 dicembre 2017

Nxorën me leje të dënuarin që vrau në Shkodër, nën hetim 2 punonjës të burgut të Peqinit

Ministria e Drejtësisë ka çuar në Prokurori dosjen për dy punonjësit e Burgut të Peqinit të cilët kanë miratuar lejen për Artan Koçekun. Ky i fundit, e shfrytëzoi lejen nga burgu për të kryer një vrasje në Shkodër. Për ngjarjen, Ministria e Drejtësisë ka çuar në Prokurori dy punonjësit e burgut të cilët përgatitën dosjen për miratimin e lejes.
Dy punonjësit e burgut të Peqinit do të hetohen nga ana e prokurorisë nëse dosja e plotësuar prej tyre është bërë kundrejt rregullave apo është abuzuar. Prokuroria do të hetojë procedurat e ndjekura nga dy punonjësit e burgut për dhënien e lejes, pasi dyshohet se ka pasur një mungesë kontrolli dhe vëzhgimi të procedurave, pasi Artan Koçeku ishte një person me rekorde kriminale.

Për të leja 7 ditore u dha për sjellje të mirë. Autori i atentatit në varrezat e Stom Golem të Shkodrës, ishte i dënuar me 8 vjet heqje lirie për grabitje me armë, dhe prishje të pronës. Ndërkohë që këtë të shtunë u arrestua vëllai i autorit të krimit. Policia organizoi një kontroll në banesën e këtij të fundit për të zbuluar nëse aty fshihej apo jo, autori i vrasjes, 27-vjeçari Koçeku.
Por nga kontrolli, në vend të tij Policia e Shkodrës gjeti drogë dhe armë pa leje. Në prangat e policisë ka rënë Klaudio Koçeku, 25 vjeç, banues në fshatin Grude e Re të Shkodrës.Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e familjes Koçeku në fshatin Grude e Re, u gjetën dhe sekuestruan 11 thasë, dhe 2 bidona, me peshë 141 kg lëndë narkotike kanabis sativa.Gjithashtu u gjeten, 4 automatik model 56; 1 çifte; 1 pushkë snajper me dy fishekë; 6 krëhëra me fishekë model 56; 1 shkop gome;2 palë pranga policie;1 silinciator; 1 thikë dhe 60 fishekë çifte 12 mm si dhe një peshore.Burime nga policia bëjnë me dije se 10 fishekët model 54, dyshohen të jenë përdorur për ngjarje kriminale të tjera të cilat do t’i nënshtrohen egzaminimit balistik.Policia prej kohësh e kishte nën vëzhgim vëllain e autorit të vrasjes. Kjo pasi edhe ngjarja e rëndë e pak ditëve më parë, ku humbi jetën Angjelin Shkambi, dyshohet të ketë ardhur për prishje të pazareve të drogës dhe borxheve.Artan Koçeku, si dhe viktima ishin persona me precedentë penalë, çka ngriti dyshimet e policisë për përfshirje të personave të tjerë, mes të cilëve edhe të vëllanë e autorit.
Hetimet
Më 17 dhjetor, Artan Koçeku vrau me armë zjarri pranë varrezave 35-vjeçarin Angjeli Shkami. Sipas hetimeve krimi ndodhi për shkak të një borxhi të pashlyer, që autori i kishte viktimës për pazare droge. Ditën e vrasjes u tha se viktima u ekzekutua me tre plumba në kokë rreth orës 12 nga Artan Koçeku si rrjedhojë e një borxhi prej 40 mijë eurosh që viktima i kishte autorit. Por hetimet morën një rrjedhë tjetër kur ekspertiza dha një përgjigje zyrtare. Ekspertiza ka nxjerrë që 35-vjeçari është vrarë në Stom Golem të Shkodrës, katër orë para se të njoftohej policia. Të shtënat janë dëgjuar në orën 07:00 të mëngjesit, kurse policia mësoi për ngjarjen në orën 11.20.Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije, se viktima Angjelin Shkambi, i cili ishte në arrest shtëpie, atë dite doli rreth orës 7:00 të mëngjesit dhe vetëm 1 km larg u takua me Koçekun me të cilin kishte lënë takim një natë me parë për t’u sqaruar rreth borxhit. Por ndryshe nga sa u tha fillimisht nga policia, burimet nga hetimet tregojnë se borxhi prej 40 mijë eurove nuk ishte i viktimës, por i autorit. Artan Koçeku kishte marrë 7 ditë leje nga Burgu i Peqinit dhe një ditë para se të kthehej vrau me pistolete 35-vjeçarin. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe në mjetin e Angjelin Shkambit nuk është gjetur asnjë mjet dyshues apo armë zjarri, ç’ka shton dyshimin se Artan Koçeku ka qenë i përgatitur për kryerjen e një akti të tillë. 

  • Blogger Comments
  • Facebook Comments
Item Reviewed: Nxorën me leje të dënuarin që vrau në Shkodër, nën hetim 2 punonjës të burgut të Peqinit Rating: 5 Reviewed By: MEDIA CREATION