giovedì 21 dicembre 2017

Yogi Shivakhanda, indiani që magjepsi qindra shqiptarë

në Indi, në vendin e tij të origjinës, ai nuk ka mundur të bëjë bashkë në një séance joge më shumë se 150 persona, në Tiranë ia doli të tërhiqte mbi 300 shqiptarë. Ai është Yogi Shivakhanda, mësues joge prej më shumë se 15 vitesh, ardhur posaçërisht nga Himalaja për t’i njohur shqiptarët me praktikën e jogës. Përgjatë dy ditëve, në datat 15 dhe 16 qershor, pranë kodrave të Liqenit Artificial, Yogi zhvilloi séance të gjata joge dhe meditimi, në të cilat morën pjesë rreth 300 persona. “Është hera e dytë që vij në Shqipëri dhe kam gjetur një energji të jashtëzakonshme në këtë vend. Kuptoj që shqiptarët janë njerëz të hapur dhe e duan jogën, mirëqenien, paqen, - shprehet Yogi Shivakhanda.
- Aty, ne të gjithë ishim një.” Yogi Shivakhanda ka lindur në një familje Kshatriya (familje e rëndësishme, e cila i përket një prej katër urdhrave të lartë në shoqërinë indiane). Ai filloi të mësonte meditimin që në moshën 3-vjeçare. Kur ishte tetë vjeç, u dërgua të studionte në një kuvend kristian dhe babai i tij, i cili ishte autoritet i lartë në sektorin e edukimit dhe shëndetit në Indi, donte që i biri të bëhej mjek. Por, të tjera plane ruheshin për të. Sot, Yogi beson se ëndrra e babait të tij është përmbushur disi, pasi ai ka kaluar shumë kohë nëpër vende të ndryshme, duke ushtruar praktikën e jogës dhe meditimit e duke ftuar shumë njerëz që nëpërmjet seminareve të ndryshme, të bëhen pjesë e ndryshimit të madh që të ofron kjo rrugë. Seminaret e tij janë zhvilluar në Nepal, Bali, Tailandë, Francë, Zvicër, Itali, Shqipëri, Bullgari, etj.
Një vit më parë, ardhja në Shqipëri e Yogit himalajan u mundësua nga biznesmeni i njohur Vasil Naçi, ndërsa së fundmi nga dy të rinj sipërmarrës në fushën imobiliare, Armand Shkëmbi dhe Eglent Bici. Një vit më parë, Yogi shprehu përmes zotit Naçi interesin për të organizuar një grup, i cili do të udhëtonte në vendet më mistike të Indisë, dhe dy të rinjtë u hodhën në varkë. Për 16 ditë u krye një udhëtim nëpër Tempujt Hindu, ku murgjit futeshin në meditim për orë dhe ditë të tëra.
“Ky udhëtim na ndryshoi të gjithëve, - rrëfen Armandi.
- Aty nisi procesi i hapjes sime si individ. U afruam shumë me Yogin dhe kur ai shprehu dëshirën për të ardhur në Shqipëri që të takohej me miqtë e udhëtimit në Indi, ne menduam të organizonim diçka të veçantë. Ishim të bindur se Yogin duhej ta njihnin të gjithë Shqiptarët. E organizuam gjithçka në pak ditë. Yogi sa nuk fluturoi nga gëzimi kur pa një pjesëmarrje aq të madhe. Maksimumi i pjesëmarrësve në Indi kishte qenë 150 veta, ndërsa në Tiranë erdhën rreth 300 persona për të bërë joga me të. Iu fut menjëherë punës. Në dy ditë, zhvilloi séance të gjata, duke bërë të magjepseshin qindra pjesëmarrës, qoftë ata të cilët e praktikojnë jogën rregullisht, qoftë ata që e kishin për herë të parë. Evenimenti i organizuar nga Armandi dhe miku i tij Eglenti, por jo vetëm, tejkaloi çdo lloj parashikimi edhe për vetë ata. Ndoshta është pikërisht ai momenti kur edhe shqiptarët janë vënë në kërkim të paqes së tyre të brendshme. Joga është shtegu që të udhëheq më së miri drejt saj, ndaj edhe në këtë seancë joge të hapur, morën pjesë persona të moshave, gjinive, profesioneve e grupimeve të ndryshme. Të gjithë, pa dallim, u bashkuan në një: ndjesinë që, nën “dirigjimin” e Yogi Shivakhandas, I bëri të çliroheshin nga shumë ndjenja negative
  • Blogger Comments
  • Facebook Comments
Item Reviewed: Yogi Shivakhanda, indiani që magjepsi qindra shqiptarë Rating: 5 Reviewed By: MEDIA CREATION